Salihu sqaron: Nuk e njihja kush ishte "King Kobra" i Kosovës
Kryetari i kuvendit komunal të komunës së Bujanocit, Adnan Salihu ka dhënë një sqarim në faqen zyrtare të Lëvizjes së Progresit Demokratik në facebook rreth ndarjes së mirënjohjes për Dibran Hoxhën.Kjo mirënjohje bëri bujë në të gjitha mediat pasi që Dibran Hoxha akuzohet për 150 vepra penale, transmeton Titulli.com.
Më tej ju paraqesim edhe sqarimin e plotë të kryetarit të kuvendit Adnan Salihut rreth rastit në fjalë.
Sqarim
Të nderuar qytetarë para pak çastesh në portalin informativ ” Insajderi” u publikua lajmi se kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit Adnan Salihu ndau mirënjohje për Dibran Hoxhën.
Përmes këtij sqarimi dua t'a njoftoj opinionin se unë Adnan Salihu në këtë eviniment bashkë me Shqiprim Musliun (djalin e Jonuz Musliut) kemi qenë të ftuar ta pranojmë një mirënjohje postmortum për të ndjerin Jonuz Musliun.
Unë nuk kam pasur asnjë njohuri se në këtë organizim do të ndaj mirënjohje. Pra askush nga organizatorët nuk është konsultuar me mua, për më tepër as nuk kam pasur njohuri se kush është personi në fjalë (Dibran Hoxha).
Se kush është Dibran Hoxha apo cila është veprimtaria e tij për herë të parë e kuptova nga shkrimi i sapo publikuar në portalin “Insajderi”.
Unë në këtë organizim nga prezantuesi i këtij organizimi kuptova që Dibran Hoxhës do t'i ndahet mirënjohje për shkak të aktivitetit humanitar, prandaj dhe pranova.
Për këtë gjest i kërkoj falje publike shoqërisë shqiptare.
Adnan Salihu- Lëvizja e Progresit Demokratik